ZHVILLOHET AKTIVITETI I 95-VJETORIT TË VENDOSJES SË KRYEGJYSHATËS BOTËRORE NË SHQIPËRI

0
38

Në një aktivitet të veçantë u përkujtua sot, 25 janar 2025, 95-vjetori i vendosjes së Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri.

Ceremonia nisi me një minutë heshtje për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili humbi jetën sot në Athinë. Në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në Pallatin e Kulturës në Tiranë, morën pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama; Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj; klerikë bektashianë e besimeve të tjerë fetarë, krerë të lartë shtetëror të vendit, besimtarë e dashamirës të shumtë.

Ky përvjetor i shënuar, përkon me një ndërmarrje tejet të rëndësishëm për një status më të plotë zyrtar të këtij besimi të plotë, me shtrirje numerike e gjeografik, pothuaj në gjithë botën.

Përshëndetja e Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj.

Të nderuar miq,

të dashur vëllezër,

Ju falënderoj që na keni nderuar në këtë ceremoni përkujtimore të 95-vjetorit të njohjes juridike të vendosjes së Urdhrit Bektashian në Shqipëri nga ana e shtetit shqiptar.

Ngjarja historike për komunitetin tonë e 95 viteve më parë ka shënuar njërën nga arritjet më të rëndësishme të reformës së kulteve, të iniciuar në Shqipëri nga Qeveria mbretërore në vitin 1929, vit kur në Shqipëri u kryen tri kongrese të komuniteteve fetare:

Kongresi II Pan-ortodoks Shqiptar, i mbajtur në muajin qershor në Korçë;

Kongresi i Komunitetit Mysliman “sunit”, i mbajtur në muajin korrik në Tiranë;

Dhe:

Kongresi III i Bektashinjve, i mbajtur në muajin shtator në teqenë e Turanit në Korçë, i cili vinte pas Kongresit të parë, të mbajtur më 1921 në teqenë e Prishtës (Skrapar), dhe Kongresit të dytë, të mbajtur më 1924 në teqenë Hajdarie (Gjirokastër). Në Kongresin e tretë u krye reformimi i Urdhrit Bektashian, duke u shpallur mëvetësia e tij si besim më vete, u miratua Statuti i komunitetit, si dhe u mor vendimi për vendosjen e Qendrës së Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Shqipëri.