Ballokumja është gatimi tradicional që e karakterizon këtë festë. Ndërsa në disa zona të Shqipërisë ndizen edhe zjarre.
Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores” një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.
Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet në qytetin e Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve.
Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”).
Rituali i Ditës së Verës
Festa pagane ka ritualin e saj. Ritet janë trashëguar brez pas brezi ndoshta për 24 shekuj me radhë. Dikur dedikimet i kushtohen perëndisë Diane, sot ato praktikohen për një jetë më të mirë, të mbushur me gëzim, dashuri dhe begati. Studiuesi dhe muzikologu i njohur Thanas Meksi e ndan në katër faza Festen e Ditës së Verës.
Faza e parë është faza përgatitore qe nis me grumbullimin e zaireve që janë të nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dytë është nata e Verës që nis me 13 mars me zjarrin, faza e tretë mëngjesi i Ditës së Verës që nis me 14 mars dhe së fundi pikniku i Ditës së Verës në mesditën e 14 marsit.
Në vigjilje të natës se Ditës së Verës, çdo shtëpi është e mbushur me një gëzim të veçantë, është një ndjesi që i pushton njerëzit fare pa e kuptuar. Ndoshta nga ndikimi i diellit, gjelbërimit apo shpërthimit të farës dhe sytheve që janë shprehje e begatisë dhe vazhdimësisë. Shtëpia mbushet plot me gjëra të mira dhe me bollëk.
Porta zbukurohet me lule dhe lastarë të gjelbër, te cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës. Gjatë kësaj nate të afërmit, por edhe shokë e miq të ardhur nga viset e tjera, këndojnë këngë te vjetra te shoqëruar me kuzhinën me nam te Elbasanit.
Disa nga gjellët, qe nuk i gjen ne vend tjetër, janë tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit etj. Gjate kësaj nate fillon te ndahet edhe hiseja e nesërme për njerëzit me te afërm. Mëngjesi është i gëzuar dhe festiv. Elbasanasit zgjohen herët me 14 mars dhe me një përkushtim të veçantë hapin derën që të futet e mira dhe të dalë e liga.