Skandal në Ndërmarrjen e Ujësjellësit të Vlorës: Punonjësit protestojnë kundër kushteve skllavëruese në Punë

0
62

Skandal në Ndërmarrjen e Ujësjellësit: Punonjësit Protestojnë për Kushtet Skllavëruese të Punës

Plot 60 punonjës të Ndërmarrjes së Ujësjellësit janë ngritur sot në protestë, duke denoncuar kushtet e papranueshme dhe shkeljet e të drejtave të tyre. Mes tyre përfshihen 27 faturistë, 21 inspektorë dhe 12 hidraulikë, të cilët po përballen me presion të vazhdueshëm nga drejtuesit e rinj.

Punonjësit kanë ngritur akuza të rënda për shkelje dhe abuzime:

– Objektiva të paarritshëm dhe presion: Drejtori i ri u ka vendosur objektiva faturimi totalisht të pamundura, duke e bërë punën e tyre një mision të pamundur.

– Punë gjatë fundjavës: Ata detyrohen të punojnë edhe gjatë fundjavave, pa asnjë shpërblim shtesë.

– Pagë e ulët: Me një pagë mujore prej vetëm 35 mijë lekësh, stafi mezi mbijeton, ndërkohë që puna kërkon angazhim të madh fizik dhe orare të gjata.

– Detyra jashtë profilit:Përveç leximit të matësave, punonjësit janë detyruar të bëjnë korrierin, duke shpërndarë faturat te konsumatorët.

– Shkelje të rënda të të drejtave: Vjetërsia në punë nuk u paguhet, gjë që ndikon drejtpërdrejt në vitet e sigurimit për pension. Kjo konsiderohet një shkelje e rëndë që i dëmton ata edhe në të ardhmen.

– Kërcënime me largim nga puna: Çdo ankesë apo përpjekje për të kërkuar të drejtat shoqërohet me kërcënime për pushim nga puna, duke krijuar një klimë frike dhe pasigurie.

“Ne nuk jemi skllevër!”– është mesazhi kryesor i protestuesve, të cilët kërkojnë që shkeljet flagrante të marrin fund. Ata theksojnë se situata po ndikon jo vetëm te mirëqenia e tyre aktuale, por edhe në të ardhmen, duke prekur të drejtën për një pension të drejtë dhe dinjitoz.

Punonjësit kanë bërë thirrje që autoritetet përkatëse të ndërhyjnë menjëherë për zgjidhjen e situatës dhe për të mbajtur përgjegjës ata që janë në krye të këtyre abuzimeve.