Situatë alarmante në zonën fundore të ish-fushës së avionit në Vlorë
Një situatë e rëndë mjedisore dhe shëndetësore po zhvillohet në zonën fundore të ish-fushës së avionit në Vlorë. Vendgrumbullimi i mbetjeve në këtë zonë është kthyer në një hapësirë ku ushqehen derra, pula dhe bagëti. Këto kafshë, të cilat konsumojnë mbeturinat e kontaminuara, më pas përfundojnë në treg si mish dhe qumësht, duke u bërë një burim i mundshëm sëmundjesh të rrezikshme për konsumatorët.
Ndërkohë, qyteti ka një vend të përshtatshëm për trajtimin e mbetjeve urbane, landfillin në Sherishtë, por ai aktualisht qëndron jashtë funksionit. Punonjësit paguhen, ndërsa mbetjet nuk grumbullohen apo trajtohen si duhet. Ky është një tregues i qartë i mungesës së reagimit nga ana e bashkisë së Vlorës, e cila deri më tani ka shfaqur indiferencë ndaj këtij problemi kritik.
Ky realitet kërkon ndërhyrje urgjente për të parandaluar pasoja të rënda për shëndetin publik dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës në këtë zonë të qytetit.