Shkrihet Albcontrol sh.a, krijohet enti publik me këtë emër! PD: Shkrirja, tekë kryeministrore, shkak, gjyqi me Becchettin

0
33

Qeveria ka vendosur te shkrijë kompaninë ALBCONTROL sh.a dhe të krijojë përmes një projektligji Entin e ri publik Albcontrol. Ky vendim sipas Ministrisë së Infrastrukturës, shton sigurinë për transportin ajror. Por për Partinë Demokratike pas kësaj lëvizje fshihet procesi gjyqësor me biznesmenin italian Francesco Becchetti

Për Ministrinë e Infrastrukturës ky ent i ri do të ofrojë për interes të Shqipërisë, shërbimin e lundrimit ajror, me siguri më të lartë, si dhe nuk do të jetë më SHA, pasi Albcontrol nuk mund të jetë shoqëri fitimprurëse.

Ndërsa për PD-në, kjo lëvizje bëhet për shkak të vendimit të gjykatës ndërkombëtare, që ka vendosur bllokimin e llogarive të Albcontrol, për interes të gjyqit me biznesmenin italian Francesco Becchetti.

Enti Albcontrol do të jetë nën varësi të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, si dhe do të marrë të gjitha pasuritë, detyrimet dhe asetet e Albcontrol sha. që aktualisht është në funksion.

Në fund të vitit 2023 nga buxheti i shtetit u dhanë 30 milionë euro kredi për shoqërinë publike Albcontrol, për shkak se Albcontrol sha kishte probleme financiare pas raportimit se rreth 100 milionë euro në llogaritë e saj pranë Eurocontrol mund të përdoren për të dëmshpërblyer biznesmenin italian Francesco Becchetti, në një proces gjyqësor në arbitrazhin ndërkombëtar.