Politika brenda shumë pak kohësh do të kalojë në kolaps. Ata nuk do të mund ta trashgojnë dot partinë nga babai tek i biri/e bija apo tek nipi dhe mbesa… Nepotizmi do të shkëputet njëherë e përgjithmonë.
Dhelprat në politikë, të trajnuara për të zhvatur edhe pendët e fundit të “pulës së majme”, do të zihen në lak. Ndryshimi i madh për Shqipërinë do të vij nga gjenerata e re. Ky brez i ri, i apasionuar pas modernes, jetës së bukur do të vendos piketat për një Shqipëri moderne.
Pasardhës të Skënderbeut, Ismail Qemalit, Nënë Terezës dhe shumë patriotëve të vërtet të këtij kombi do të marrin në dorë fatet e tij. Frika e madhe e një revolucioni popullor ka mbërthyer politikanët e vjetruar, relike të së kaluarës korruptive.
Një erë e re ndryshimi do të duket në horizont, e cila do të nxjerrë jashtë politikanët që asnjëherë nuk e deshën këtë vend të bekuar nga Zoti.
Sot… Pas viteve 90 të gjithë sëbashku përcaktuan një axhendë shkatërrimi, plan i detajuar për të shuar ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe çdo fushë tjetër…
Rezultatet janë në tavolinë, mburren me rezultatet e ulta të arsimit, keqardhje! “Injoranca Funksionale” është pjella e saj! Ndërkohë krimi i organizuar mbiu si kërpudhat pas shiut, e diktuar kjo nga “plani”. Deri kur…?
Të rinjtë që ne i quajmë të paditur, të pashkolluar, të dhunshëm, të pasjellshëm, të paaftë dhe shumë epitete të tjera të lartësuara nga media e vjetër, e drejtuar nga dora e padukshme, ofruar si dogmë nga mëngjesi deri në dark, kërkonë të influencojë në rrjetet shoqërore.
Por ky “plan” nuk ka marrë parasysh një detaj shumë të vogël: “Të rinjtë nuk e shohin më politikën, bisedat e gjithollogëve të ekranit, apo tek tuk ndonjë influencues të paguar”… Kjo po i frikson, shumë madje. Strukturat politike nuk kanë më të rinj. Situatë alarmante për politikën pasi po i shket nga dora një brez i tërë, i pabindur, i padëgjuar, dhe shumë europian.
Ata sot flasin me shokët e tyre nga e gjithë bota, chat-ojnë, mësojnë më shumë për jetën dhe standardin e lartë social. Pyetje të tilla si: “Pse ne jemi këtu?”, “Pse na kanë nëpërkëmbur kështu?”, “Pse nuk bëjmë dot përpara për një jetesë europiane?” etj., mbeten pa përgjigje kur politika me demagogjinë e saj fut hundët për ta “ndritur” realitetin, i cili flet vetë…
Menjëherë intelekti i tyre punon me shpejtësi marramendëse për një ndryshim. Partitë politike sërish përpiqen të modifikojnë imagjinatën. Por ajo është unike për cdo individ në këtë botë. Ëndrrat nuk modifikohen. Prap ata besojnë te modifikimi…
Kalojmë në lokalitete të vogla. Struktura të plakura, histori me hajdutë ordiner, vjedhje pronash, drejtues pa ide e pa vizion. Struktura “Tokë e zënë” ku prindërit, gruaja, djali, vajza, “kuçi dhe maçi” në këto rrjete, çdo ditë e më tepër në keqardhje për jetën e ditët në vijim. Kur dikush afrohet, ai kthehet në armik i popullit nga frika se mos dalin jashtë vëmendjes dhe zënies së tokës.
Thonë, që për interesat edhe gruan ofrojnë në shitje… Aaaa, jo deri këtu, stop! Të rinjtë tanë janë më të nderuar, më të vërtetë, revolucionarë, ideatorë, modern, largpamës dhe madje, shumë këmbëngulës. Numërimi ka filluar mbrapsht për djalin dhe vajzën e babait.