Vendimi u bë publik sot (29 janar 2024) në orën 16:20 nga Gjykata Kushtetuese e cila mori në shqyrtim në tre seanca plenare resht kërkesën e paraqitur nga 30 deputetë të opozitës e cila kërkoi deklarimin e papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet dy qeverive, ndalimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi si dhe pezullimin e procedurave për ratifikimin e Protokollit “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”
në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje gjykata vlerëson se Protokolli për Migracionin nuk cakton kufij territorialë dhe as nuk ndryshon integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë, ndaj ai nuk përbën marrëveshje që ka të bëjë me territorin në aspektin fizik.
Po kështu në dy zonat, që vepron Protokolli për Migracionin, zbatohet e drejta shqiptare, përveç të drejtës italiane.
Në këtë pikëpamje, Gjykata Kushtetuese konstatoi se për të drejtat dhe liritë e njeriut vepron një juridiksion i dyfishtë, që do të thotë juridiksioni italian në dy zonat në fjalë nuk përjashton juridiksionin shqiptar.
Një përfundimin tjetër është dhe fakti se Protokolli për Migracionin nuk përfshihet në kategorinë e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk krijon të drejta dhe liri të reja kushtetuese dhe as nuk sjell kufizime shtesë në të drejtat dhe liritë ekzistuese të njeriut, përtej atyre që parashikohen nga rendi juridik shqiptar.
Gjykata analizon dhe vlerëson se Qeveria Shqiptare dhe kryeministri Rama kishte plotfuqitë e duhura për negociimin dhe nënshkrimin e Protokollit.
“Gjykata vlerësoi se traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, të vitit 1995 përbën një marrëveshje ndërkombëtare kuadër që sipas nenit 180 të Kushtetutës konsiderohet e ratifikuar sipas Kushtetutës dhe përbën bazë të mjaftueshme që Protokolli për Migracionin të negociohej me autorizim të Kryeministrit dhe plotfuqi të lëshuara nga Ministri i Punëve të Jashtme, si dhe të nënshkruhej prej vetë Kryeministrit” thuhet në njoftimin për shtyp.
Kur e ratifikon kuvendi?
Seancat plenare kur gjykata mori në shqyrtim marrëveshjen mbi bazë të dokumenteve u mbajtën në datat 18 tetor 2024, 24 tetor 2024 dhe 29 tetor 2024. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve. Pasi vendimi i arsyetuar të publikohet në Fletore Zyrtare i hapet rruga ratifikimit në Kuvend të kësaj marrëveshjeje.
Edhe Italia i dha dritën jeshile
Ndërkohë Dhoma e Deputetëve në parlamentin italian i dha dritën jeshile marrëveshjes! Me 155 vota pro dhe 115 kundër deputetët italianë kaluan projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërsa fjala e fundit për ratifikim do t’i takojë Senatit.
Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.