Imzot Angelo Massafra flet për lajmet e këqija që lexojmë çdo ditë. Pasi e kemi hequr Zotin nga bota jonë, gjithçka priremi që ta shohim zi, sipas tij.
Arqipeshkvi uroi që të gjithë ta përjetoni dritën shkëlqyese e Pashkës të Krishtit, gëzimin e Tij dhe aftësinë për të qenë “pasqyra”, që reflektojnë në botën ku jetojnë.
Mesazhi i Imzot Angelo Massafrës: Shumë të dashur vëllezër dhe motra, ju mbërriftë tek ju mesazhin tim i përzemërt me rastin e Pashkës së këtij viti 2024.
Është një mesazh paqeje dhe shprese, që dëshiroj t’ju mbërrijë të gjithëve ju, familjeve tuaja, si edhe personave tuaj të shtrenjtë që keni larg, që gjenden në situata të dhimbshme dhe të trishta: të sëmurë, të burgosur, të varfër dhe nevojtarë.
Mesazh paqeje në një botë të copëtuar nga lufta dhe të pushtuar nga fantazma e një konflikti të mundshëm në shkallë të gjerë. Një mesazh shprese që na ndihmon ta lexojmë të tashmen me sytë e fesë dhe që na largon çdo frikë për të ardhmen.
Po përjetojmë, sot si asnjëherë më parë, se sa e vërtetë është që, pasi e kemi hequr Zotin nga bota jonë, nga mendimet tona dhe nga zgjedhjet që duhen bërë çdo ditë në sferën personale, politike dhe shoqërore, gjithçka priremi që ta shohim zi. Sa të këqija na tregojnë lajmet çdo ditë! Për ta është burim fitimi (sepse e keqja përbën lajm dhe shitet shumë), por për ata që ushqehen me këtë të keqe është helm vdekjeje.
Megjithatë e keqja është aty, ajo është e vërtetë; kështu ka qenë gjithmonë dhe nuk kemi pse të habitemi.
Feja na ndihmon që të kemi përpara syve tanë përvojën e Pashkës së Krishtit; një përvojë e cila, si e jona, përbëhet nga e Premtja e Madhe dhe nga e Diela e Ngjalljes. Feja nuk na bën që t’i mbyllim sytë përpara të keqes, por na bën që ta kuptojmë më mirë atë dhe të orientohemi kah e mira.
Krishti u përball me të keqen; por siç na mëson Shën Pjetri: “Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin” (1 Pjt 2, 21-24). Çfarë shembulli? Është gjithmonë Shën Pjetri ai që na e shpjegon: “Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim; Ai që i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe, i salvuar, nuk kërcënonte, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi”.