Kush është trafikanti i drogës mik i Flamur Nokës, të cilit i referohet Gazmend Bardhi? Në dokumentacionin e mbledhur për SPAK përmbahen pagesa, kontrata, shitblerje apartamentesh dhe kalime financiare nga ana Flamur Nokës, i cili edhe pse nuk ka asnjë detyrë profesionale, bën një jetë shumë luksoze.
Krahu i djathtë i Sali Berishës, tashmë një nga eksponentët e fundit të Rithemelimit i gatshëm të sakrifikohet për të mbrojtur si kamikaz ish-kryeministrin në arrest shtëpie, rrezikon një inkriminim nga SPAK për pastrim parash. Flamur Noka, tashmë nën hetim për zjarrvënie të Kuvendit, do të duhet të përgjigjet për një krim të rëndë financiar që parashikon një dënim maksimal deri në 15 vite burg. Burime të mirëinformuara bëjnë të ditur se një kallëzim penal i detajuar është përgatitur të dorëzohet në ditët që vijojnë në SPAK, autoriteti që është kompetent për të hetuar pikërisht pastrimin e parave.
Ende nuk njihen shumë detaje në dosjen voluminoze që mban emrin e Flamur Nokës, por mësohet se në dokumentacionin e mbledhur përmbahen pagesa, kontrata, shitblerje apartamentesh dhe kalime financiare nga ana e këtij eksponenti politik, i cili edhe pse nuk ka asnjë detyrë profesionale, bën një jetë shumë luksoze. Pasi ka marrë një kredi pa interesa prej 5 milionë lekësh si i pastrehë, Flamur Noka ka nisur të pasurohet në një mënyrë misterioze duke arritur të blejë deri një makinë me kosto 40 mijë euro.