GJKKO kërkon të zbardhet e vërteta e faksit ‘Për Shkëlzen Berishën’ të dalë nga zyra e ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçit në kohën kur vendosej për demontimin e armëve në Gërdec. Gjykata ka urdhëruar policinë të gjejë ish-sekretaren e ish-ministrit të Drejtësisë, Anjola Agolli, e cila është dëshmitare në procesin Gërdeci.
Agolli në dëshminë e saj dhënë më herët prokurorëve implikoi direkt Shkëlzen Berishën, në demontimin e armëve në Gërdec. Agolli ka pranuar se ajo ka dërguar faksin me shënimin “Për Shkëlzen Berishën…” në një numër faksi të Ministrisë së Mbrojtjes, dhe kujton se “Shkëlzen Berisha erdhi në zyrë dhe u takua me ministrin para se të niste faksin…” Dëshmia e saj në GJKKO konsiderohet kyçe, ndërsa ende nuk është gjetur megjithëse SPAK ka vënë më dispozicion një adresë të re të saj.
Ndërkohë gjykata në seancën e kësaj të mërkure përsëriti thirrjen për Luan Hoxhën, Dritan Minxollin dhe Mihal Delijorgjin të cilët nuk janë gjetur në adresat e deritanishme të çuara në gjykata.