Anijet lëshuan boritë e tyre, qielli i Vlorës filloi të shëndriste nga një spektakël magjepsës fishekzjarresh, duke sjellë atmosferën festive të ndërrimit të viteve në qytet.
Qytetarët lanë shtëpitë dhe iu drejtuan sheshit kryesor, ku u mbajt festa për të pritur së bashku Vitin e Ri 2025. Atmosfera festive përfshiu të gjitha moshat, ndërsa qyteti rrezatonte gëzim dhe hare nga çdo cep.
Në mesin e festimeve, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij, kaloi këtë moment të veçantë pranë qytetarëve të tij. Ai uroi nga afër qytetarët për një vit të ri të mbushur me paqe, mirëqenie dhe arritje të reja për Vlorën.
Mbrëmja u pasurua më tej me një aktivitet kulturor. Sheshi u mbush me buzëqeshje, përqafime dhe urime, ndërsa fishekzjarrët ndriçonin qiellin për t’i dhënë një fund të shkëlqyer vitit që lamë pas dhe për të mirëpritur plot shpresë vitin që sapo ka nisur. Vlora, si gjithmonë, dëshmoi shpirtin e saj mikpritës dhe energjinë pozitive që e karakterizon.