Në një video, të shpërndarë nga Policia e Vlorës, vihen re tre adoleshentë të moshës 16 vjeç, ku policia sqaron rrethanat, se adoleshentët në mënyrë të dhunshme kanë sulmuar një të moshuar e më pas i kanë grabitur atij lekët.
Deri këtu është lajmi…
Egua e shëmtuar e një aksioni me tre “kriminelë të vegjël” nuk u ndal për të gjetur pasojat… Si për t’u thelluar në “Perandorinë e braktisjes” ajo madje u shit si sukses.
Prindërit, shoqëria, institucionet vendore, ato sportive e kulturore, si dhe shkolla, nuk reagojnë por mbulohen nën petkun e
“Cfarë më duhet mua”,
“Fajin e ka ai, e ka ky” (nuk ofrohet zgjidhje, por vetëm fajësojmë)
Prindërimi nuk është të bësh fëmijë, por të kujdesesh për ta, t’u ofrosh atyre modele motivimi nëpërmjet edukimit. Shpesh prindërit të justifikuar nga puna e harrojnë edukimin, humbasin kontrollin mbi ta, si dhe angazhimin për ti rritur qytetarë.
Arena e egërsisë në ekranet e TV, emisionet denigruese, rrjeteve sociale me nivel të lartë degjenerimi, influencojnë jo pak si pa kuptuar në personalitetin e formimin e adoleshentëve.
Institucionet me drejtuese të një shkalle intelektualësh, të një niveli nën mesatare, e thellojnë së tepërmi këtë problem social. Nuk ka vizion, nuk ka ide, vetëm një grup pensionistësh të dalë në pension para kohe.
Vendorët as që e kanë në planin e tyre rininë e këtij qyteti, e reflektuar kjo, në mungesën e ambjenteve sportive në lagje e kudo, aty ku ka bllok banimi për t’i mbajtur të angazhuar këta të rinj.
Ndërkohë që po të flasim për kulturën, e rrënuar dhe e braktisur totalisht ku, Sazexhinjtë mendojnë vetëm për klarinetat e tyre.
Psikologët e shkollave, si manekina, të ftohtë, pa asnjë aftësi për të kuptuar adoleshentët. I braktisin në heshtje për të mos u marrë me problemet e tyre.
Miliona lekë hidhen për psikologët në shkolla që këta të fundit të ngrohen në priza dhe të realizojnë dokumentacionin fiktiv për gjendjen sociale të të rinjve.
Mësuesit kanë vite që rolin e tyre edukues e kanë humbur për shkak të burokracive në sistemin (plotëso regjistrin, tabela të pafundme me të dhëna, plotësimi i regjistrit elektronik SMIP, stres i vazhdueshëm për vendin e punës).
E gjithë kjo situatë padyshim që lë në harresë punën e vazhdueshme që duhet të kryhet me adoleshentët. Të rinjtë tanë kërkojnë ndihmë në mënyra të ndryshme për të dalë nga rrjetet e krijuara, por askush nuk u përgjigjet.
“Hë, se ska gjë, ne jemi rritur më keq, skemi pasur bukë dhe rroba…” – shprehet brezi më i madh ose prindërit, – “Juve nuk ju mungon asgjë…”
Por lind pyetja: Çfarë u mungon adoleshentëve?
1. Dashuria prindërore
2. Respekti në shoqëri
3. Vëmendja e punonjësve të arsimit
4. Vëmendja e institucioneve të sporteve dhe kulturës.
Me çfarë përballet kjo moshë?
1. Mungesa e vëmendjes
2. Mungesa e modeleve të suksesit
3. Mungesa e motivimit
4. Bullizimi
5. Frustrimi
6. Përditësimi me rrjetet kriminale
7. Me pasuritë korruptive
8. Me nxënësit e prindërve hajdut me kullaro
9. Me teknologjinë e pakontrolluar
10. Mos patja e një vizion të qartë për jetën e tyre
11. Me dhunën verbale e fizike
Ata kërkojnë ndihmë, por ne si shoqëri jemi të papërgatitur për t’i mbajtur afër dhe për t’i mësuar ata, se bota është e bukur për ta jetuar midis miqëve dhe shokëve.
Nga ditat në ditë ne po dështojmë për t’u shtruar rrugën me kalldrëm të palëvizshëm. Transformimi i tyre në drejtimin e gabuar nuk është për fajin e tyre por i YNI.
Paradoks:
Altruizmi dhe përkujdesja e treguar për kafshët e rrugës është më e madhe se sa për një individ. Kjo vjen nga egua shpellë e injorancës për një të ardhme të bukur.
Ata me veprimet e tyre thërrasin për ndihmë…
Po ne, ç’bëjmë?
I lëshojmë në humnerat e errta të kësaj shoqërie e cila heshtjen e ka kthyer në motiv të përditshëm.
I braktisim të vetëm në labirithet e jetës…
Nën dritën e terrur, ata janë aty si rreze drite duke pritur diellin të ndriçojë…