Skandal me votat e emigrantëve? Aktivisti i PD-së në Itali filmohet me zarfe votimi – denoncohet në polici

0
43

Një ngjarje e pazakontë ka ngritur shqetësime lidhur me sigurinë e votave të emigrantëve shqiptarë në zgjedhjet e 11 majit. Aktivisti i Partisë Demokratike në Itali, Klodian Cami, është shfaqur në një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shihet me dhjetëra zarfe që, sipas tij, janë fletë votimi të dërguara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për diasporën.

Në videon e shpërndarë në Facebook, Cami shkruan: “Zarfet e verdhë të DIASPORËS që do të sjellin ditën e ZEZË TË Rilindjes”, duke sugjeruar se këto vota do të ndikojnë ndjeshëm në rezultatin zgjedhor kundër Partisë Socialiste.

Mbetet e paqartë sesi Cami ka rënë në zotërim të këtyre zarfave. Sipas gazetës TemA, disa emigrantë shqiptarë në Itali e kanë kallëzuar atë në polici, duke e akuzuar për korrupsion ndaj postierëve të kompanisë postare DHL dhe për mbledhje të paligjshme të fletëve të votimit.

Cami, me origjinë nga Vicishti i Dibrës dhe pronar i restorantit “La Tortuga” në Reggio Emilia, është një emër i njohur në radhët e PD-së në diasporë. Ai është promovuar edhe nga vetë lideri i opozitës, Sali Berisha, në postime publike gjatë protestave të PD-së.

Ngjarja ka ngjallur reagime dhe kërkesa për hetim të menjëhershëm për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor të votimit nga jashtë vendit.