Kandidati i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, zhvilloi një takim me banorët e Njësisë Administrative Novoselë, ku theksoi rëndësinë e investimeve strategjike si Aeroporti i Vlorës dhe rrjeti energjetik e rrugor, që sipas tij po transformojnë zonën.
Gjiknuri u shpreh se hapja e aeroportit do të ndikojë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të Novoselës dhe gjithë Vlorës, duke rritur vlerën e pasurive dhe mundësitë për punësim. Ai kërkoi mbështetje masive nga komuniteti, si një “votë mirënjohjeje” për punët e kryera dhe për të pasur peshën e nevojshme politike për të vijuar projektet.
“Mos dëgjoni ata që thonë se jam i dalë. Kam ardhur për të bërë më shumë për ju. Aeroporti do ta kthejë Novoselën në portë hyrëse të Europës,” u shpreh Gjiknuri. Ai shtoi se prioritet mbetet edhe përfundimi i ujësjellësit dhe përfitimi nga fondet e BE-së në kuadër të integrimit.