Sigurohet dosja hetimore të SPAK ndaj kryebashkiakut në detyrë të Himarës Jorgo Goro, i cili u arrestua të shtunën e 23 marsit 2024. Ai akuzohet për shpërdorim detyre për tjetërsimin dy pronave në Dhërmi, konkretisht 5512 m2 + 5080 m2(në kufi më njëra tjetrën) me sipërfaqe në total 10 592 m2.
Në episodin e parë sipas SPAK Jorgo Goro në bashkëpunim dhe me zyrtarë të asaj kohe të Himarës që ka qenë në atë kohë, 5512 m 2 tokë bujqësore me dokumente të falsifikuara e kanë tjetërsuar nga tokë shteti në tokë private, e konkretisht në pronësi të Foto Mëhillit i cili ishte i ati i Stavri Mëhilli. Më pas është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e kësaj toke në emër të shoqërisë private me përfaqësues Artan Gaçin.
“Pavarësisht mungesës së një verifikimi në vetë dokumentacionin që vetë Bashkia Himarë ka rezultuar se posedonte pranë saj si dhe në mungesë të një konfirmimi të domosdoshëm nga Këshilli i Qarkut (pavarësisht se në shkresë referohet se ky konfirmim ndodhet bashkëlidhur), kryetari i Bashkisë Jorgo Goro, ka përcjellë kërkesën për regjistrim në raste të veçanta, pranë ZVRPP me shkresën nr. 731 prot.. datë 18.03.2019 dhe aktet bashkëlidhur, dhe mbi bazën e kësaj kërkese, dhe dokumentacionit bashkëlidhur asaj, rezulton se ZVRPP-ja/ASHK-ja Vlorë ka vepruar duke pajisur shtetasin Foto Pavllo Mëhilli (trashëgimtarët) me dokumentin vërtetim nga dokumenti hipotekor nr. 40, datë 17.02.2020. ZK. 1739, fshati Gjilek. për pasurinë me sip. 5512 m2, të llojit truall.”.
Nga verifikimi i kryer në regjistrin hipotekor dhe dokumentacionin ligjor përkatës, rezulton se pranë ASHK-se Vlorë, në datë 17.02.2020, në bazë të kërkesës të shtetasit Stavri Mëhilli, është regjistruar pasuria, regjistri hipotekor 40, datë 17.02.2020, ZK.1739, fshati Gjilek, me sipërfaqe 5512 m2, në emër të shtetasit Foto Pavllo Mëhilli (trashegimtarët). Nga kjo praktikë rezulton se kërkuesi Stavri Mëhilli ka aplikuar në datë 12.02.2020, ora 12:48, për shërbimet “Lëshim vërtetimi pronësie”, dhe vetëm pesë ditë më pas, datë 17.02.2020, është pajisur me certifikatën përkatëse të pronësisë’ thuhet në dosje.
Referuar Këshillit të Qarkut Vlorë që ka dhënë informacione mbi çeshtjen, rezulton se kalimi i prones është bërë përmes shkresave dhe dokumenteve te rreme
10 ditë më pas Stavro Mëhillit i kaluan në bankë 12. mln lekë
SPAK thote se gjithë skenari i tjetërsimit përsa i takon regjistrimit të siperfaqes së tokës truall prei 5512 m2, prones me dokumenta flase, ka qenë me qëllim shitjen e saj tek Artan Gaçi. Pikërisht kalimi i prones tek Stavri Mehilli, i dha këtij të fundit të drejtën edhe për ta shitur 10 ditë më pas pikërisht më 27 shkurt në llogarinë e Stavri Mëhillit kanë kaluar 12,677,600 leke nga ‘AGTTC Hotel Management’
“Gjatë hetimit janë kryer edhe verifikime pranë institucioneve bankare dhe konkretisht, nga verifikimet e kryera pranë Bankës ‘I…., ‘ ka rezultuar se shtetasi Stavri Mëhilli disponon llogari bankare dhe nga nxjerja e llogarisë (lëvizjet) në monedhën ALL (Lekë), rezulton se në datë 27.02.2020, Shtetasit Stavri Mëhilli, i janë transferuar/kaluar në llogari shuma 12,677,600 lekë me përshkrimin: “Kalim sipas kontratës nr. 296 rep nr. 171 kol datë 26.02.2020”.”, thuhet në dosjen hetimore.
“Nga të dhënat e siguruara rezulton që Stavro Mëhilli e ka shitur 12,677,600 lekë sipas kontratës nga të cilat kësti i parë në vlerën 3.000.000 lekë është likuiduar në datë 25.07.2019, nëpërmjet një transaksioni bankar dhe kësti i dytë në vlerën 9.677.600 lekë është likuiduar në datë 25.02.2020. Aktualisht prona figuron e regjistruar ne emër/pronësi të shoqërisë “AG. TCC” shpk.
Kur është marrë në pyetje kryetari në detyrë i Bashkisë së Himarës thotë se nuk ka shkelur ligjin por citohet të ketë thënë se ka tentuar të zgjidhë konfliktin mes banorëve.
Të shtunën e 23 marsit GJKKO arrestoi Jorgo Goron ndërsa dha masë arrest shtëpie për tre zyrtarë të tjerë; kreun e Kadastrës, Bilbil Aliaj, juristin Vezir Gjikoka (ekzekutuar) dhe Jerasimo Bashi, (pa ekzekutuar) Drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, bashkia Himarë. Si dhe ka caktuar masën arrest me burg dhe ka shpallur në kërkim Stavri Mëhillin. Goro dhe të akuzuarit e tjerë dalin nesër, para GJKKO për t’u njohur me masën e sigurisë.