Pak ditë më parë, Arbjan Mazniku, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, ka qenë në Vlorë ku është takuar me kryebashkiakun Ermal Dredha dhe përfaqësues të tjerë të këtij qyteti.
Në fokus të kësaj vizite ka qenë projekti “ambicioz” për bashkimin në një vend të shkollave profesionale.
Mazniku tha se të gjitha shkollat profesionale të Vlorës do të grupohen në një kampus. Ai tha se shkolla Tregtare dhe ajo Industriale do të bashkohen në një kampus të vetëm në territorin e shkollës “Pavarësia”.
Por kjo ide e qeverisë “për të mbështetur” shkollat profesionale duke i bashkuar ato në një kampus të vetëm, nuk mbështetet nga vetë qytetarët e Vlorës.
Ata thonë se ky grupim në një kampus të vetëm synon shembjen e shkollës tregtare dhe shfrytëzimin e territorit të saj për ndërtimin e një kompleksi.
Sipas qytetarëve synimi i vetëm i qeverisë është dhënia e territorit të shkollës te oligarkët e ndërtimit, pasi shkolla është e ndërtuar në një zonë të lakmueshme të Vlorës siç është Uji i Ftohtë.
Në këtë shkollë të themeluar rreth 100 vite më parë, në Nëntor 1924, mësojnë qindra nxënës, jo vetëm nga Vlora, në degët Hoteleri Turizëm dhe Ekonomi.
Edhe pse në këtë shkollë janë arsimuar emra të rëndësishëm si Petro Marko, Jani Minga e politikanë të tjerë të shquar, qeveria kërkon ta prishë sa më shpejt të jetë e mundur, pa festuar as 100 vjetorin e saj.
Vlen të thuhet se kjo shkollë që ka qenë vatër diturie dhe ka krijuar traditën e saj në qytet për arsimin profesional, si një shtyllë e arsimit kombëtar, është mbyllur vetë një herë gjatë gjithë veprimtarisë së saj 100 vjeçare. Pushtuesi italian e mbylli shkollën 22 Maj 1943 dhe e ktheu atë në kazermë ushtarake.
Por që nga Çlirimi i Shqipërisë e deri më sot kjo shkollë i ka rezistuar kohës dhe ‘stuhive’, por duket se nuk do t’i rezistojë dot shtetit dhe oligarkëve të pangopur për para e pushtet.
Denoncimi i qytetarëve:
Përshëndetje! Si qytetar të Vlorës kemi një shqetësim të madh. Ditën e sotme ministri Mazniku paskërka ardhur në Vlorë dhe para se të hante drekën me fruta deti nga plazhi vjetër në shoqërinë e kryetarit të Bashkisë dhe velinave të tij na paska bërë një deklaratë që “shkolla Tregtare e Vlorës” do prishet dhe shkolla do kalojë në një tjetër ambient diku në qytet. Për sqarim: Shkolla Tregtare e Vlorës ka 100 vjet (1924-2024) që gjendet në një prej vendeve më të bukur dhe piktoresk të qytetit. Në kodrën e vendosur përballë detit në Ujë të Ftohtë. Kjo shkollë feston këtë vit 100 vjetorin e saj me këtë lajm të tmerrshëm që shkolla do prishet. Ka disa vite që në qytet diskutohet se tek vendi ku sot është Shkolla do ndërtohet kompleks. E ky thashethem u konfirmua sot me deklaratën e Maznikut mbështetur nga kryetari i Bashkisë Ermal Dredha. Është e turpshme…territori i kësaj shkolle është dhuratë për shkollën nga një familje e Kaninës, pronë rreth 7 hektar . Në këtë shkollë janë arsimuar emra të rëndësishëm Petro Marko, Jani Minga, e deri tek shumë nga mjeshtrit e politikës së sotme. Për qytetin është lajm i tmerrshëm. Po marrin tokën për të ndërtuar kompleks të pangopurit. Meqë mediat nuk e transmetojnë këtë shqetësim, ju lutem ju ta publikoni. Është e dhimbshme dhe e turpshme se si po e shkatërrojnë historinë e qytetit.