Sot, u bënë plot 16 vite që kur Kosova u shpall shtet i pavarur. Pasditja e 17 shkurtit të vitit 2008, ku Kuvendi i Republikës së Kosovës në Prishtinë shpalli zyrtarisht Pavarësinë, është rrënjosur thellë në zemrat dhe mendjet e të gjithë shqiptarëve. Ora 15:39, kur Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm dhe firmëtari i parë lexoi deklaratën e Pavarësisë.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”, thuhej ndër të tjera në deklaratën që Thaçi e lexoi me zërin që i dridhej nga emocionet.