Nga Bedri Islami
Ka qenë një kohë, kur me urdhër të ish presidentit Berisha, pas propozimit të Gazidedes, gjurmoheshin dhe përgjoheshin të gjithë strukturat më të larta drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aso kohe, në fillimet e vitit 1993, kur lëvizja çlirimtare vendosi të ngrejë në Tiranë njërën nga qendrat e saj më të rëndësishme, askush nuk kishte telefonë celularë, sepse ende nuk ishin në përdorim, por, përballë ‘Dajtit’, në afërsi të një lokali me emrin “Nikolino”, me shpejtësi të habitshme shteti instaloi dy kabina telefonike, dhe, duke e ditur se në lokalet aty pranë ishin edhe disa qendra ku mblidheshin shqiptarët e Kosovës, vendosi nën përgjim dy kabinat.
Dhe nga ky përgjim dhe naiviteti i besimit të plotë tek fjalët që thuheshin për kombin e Kosovën, e pësuan aq shumë vetë. Përgjimet e këtyre viteve, jo vetëm në këto dy kabina, por edhe më tej se kaq, çuan në hartimin e listave të ilegalëve që ishin të padëshiruar për të qëndruar në Shqipëri, në ndjekjen e atyre që ishin aty, dhe më tej, në hartimin e përbashkët të një liste në trekëndëshin Shërbimi informativ shqiptar, shërbimi informativ i LDK-së dhe shërbimi informativ serb.