Komedia Hyjnore (it. Divina Commedia) është vepra madhore e poetit, shkrimtarit dhe politikanit italian Dante Aligieri, një prej teksteve kyç të letërsisë perëndimore. Vetë Dantja e pati quajtur librin thjesht Komedi “Commedia” dhe duket se mbiemri Divina (hyjnore) iu vu librit prej Giovanni Boccaccio ne veprën e tij Trattatello in laude di Dante.
Vepra paraqet një alegori epike trekëndëshe të shpirtit njerëzor dhe një monument ku Dantja ngriti, me fantazinë e tij të mrekullueshme, mbretërinë e botës së përtejme. Me fjalë të tjera është një përshkrim i udhëtimit fantastik të autorit nëpër tri mbretëritë e përjetshme: Ferr, Purgator dhe Parajsë. Gjatë këtij udhëtimi imagjinar, që zgjati vetëm 7 ditë–nga 18 deri në 25 prill 1300 (java deri në ditën e Pashkëve)–autori provoi të përshkruajë gjendjen e shpirtit të njeriut pas vdekjes.
Përmbajtja
Redakto
Shtegtimet plot vajtime, dhimbje, pendime, dyshime e gëzime, përfshijnë një botë me njerëz të të gjitha kohërave dhe të të gjitha shtresave, një pasqyrë e qytetërimit perëndimor deri në shekullin e trembëdhjetë.
Udhëtimi imagjinar
Redakto
Në moshën 35 vjeçare, në mbrëmjen e 18 prillit të vitit 1300, poeti humb në një pyll të errët. Aty i shfaqet hija e Virgjilit, poetit të madh latin, dërguar prej qiellit nga Beatriçja; ai e shpëtoi nëpërmjet një shtegu ku s’kalonte këmba e njeriut të gjallë. Të dy poetët, Dantja dhe Virgjili, zbresin në ferr, ku në nëntë rrathë dënohen mëkatarët. Fajet në ferr Dantja i ndan sipas teorisë së Aristotelit, ku njeriu mëkaton nga shfrenimi (grykësia, kopracia etj), që për poetin janë më të lehta; pastaj nga shpirtligësia (dhuna, tradhtia), për të cilat poeti i jep dënimet më të rënda. Këtu i shohim të gjithë mëkatarët si e vuajnë dënimin e tyre.
Pas udhëtimeve të tmerrshme nëpër ferr, të dy poetët i ngjiten malit të Purgatorit. Purgatori ka shtatë rrathë, në të cilat bëhet pastrimi i shpirtit përmes vuajtjeve të pendesës.
Aty Dantja i ndan fajet sipas teorisë së Platonit, ku siç thotë ai, njeriu mëkaton nga çrregullimet e dashurisë me tepri (mendjemadhësia, ku njeriu e do së tepërmi vetveten; smira, kur i do të keqen tjetrit; zemërimi, kur do të hakmerret etj); kur dashuron me pasion të tepruar (kopracia, kur njeriu do pasurinë apo shpenzimet e tepërta; grykësia, kur njeriu do më shumë se sa duhet gojën e vet; epshet e tyre etj.).
Dhe, së fundi, si përfundim i lumtur i këtij udhëtimi mahnitës, ashtu siç ndodh pas një ëndrre të vështirë, hipur mbi një qerre ngadhnjimtare, vjen Beatriçja dhe e shpie fluturimthi në qiejt e parajsës, nëpër nëntë qiejt danteskë, ku sundon drita e përjetshme. Ata janë “Qielli i Hënës”, “Qielli i Mërkurit”, i Venerës, i Diellit, i Marsit, i Jupiterit, pastaj Qielli i shpirtrave soditës, Saturni, Qielli i yjeve, dhe në fund, i pari Lëvizës, Qielli që rrethon me nëntë rrathë ëngjëjsh Perëndinë, i cili rri mbi Empirin e palëvizshëm, që ka formën e një trëndafili të bardhë.